Home > Press Room > Press Releases > 

SEMINARI I TIRANËS PËR NJË EUROPË JUGLINDORE TË PASTËR NGA MINAT

Tiranë, 5 Tetor, 2009 – Republika e Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Europian, njofton se do të organizojë Seminarin Rajonal të Tiranës për një Europë Juglindore të Pastër nga Minat nga data 7 deri në 9 Tetor, 2009. Seminari është një aktivitet rajonal i cili i paraprin Samitit të Kartagjenës për një Botë të Pastër nga Minat.

Pjesëmarrësit në seminar përfshijnë përfaqësues të nivelit të lartë nga shtetet e prekura nga minat në Europën Juglindore. Të pranishëm të tjerë në këtë seminar do të jenë të aksidentuar nga minat dhe municionet e paplasura, donatorë, organizata joqeveritare lokale dhe ndërkombëtare të cilat kanë kontribuar në veprimin ndaj minave në rajon.

Qëllimi i Seminarit të Tiranës është të analizojë progresin e bërë dhe sfidat në Europën Juglindore në kuadër të Konventës mbi Ndalimin e Minave Kundër Personit. Konventa ndalon përdorimin e minave kundër personit dhe i kërkon shteteve të cilat janë palë në konventë të shkatërrojnë të gjitha stoqet egzistuese, të pastrojnë të gjitha zonat e minuara dhe të sigurojnë asistencë për të aksidentuarit nga minat.

Në seminar do të mbahet edhe programi paralel për ekspertët e aistencës ndaj të aksidentuarve nga minat, të cilët do të diskutojnë sfidat dhe sukseset në lidhje me të drejtat dhe nevojat e të aksidentuarve nga minat në rajon. Ky program do të përfshijë diskutime në lidhje më rehabilitimin mjeksor dhe fizik, asistencën psikosociale si dhe forcimin ekonomik të personave të aksidentuar nga minat.

Vizitë në Terren – Mundësi për Mbulim Mediatik

Në 7 tetor 2009, pjesëmarrësit në seminar dhe përfaqësues nga media janë të ftuar të marrin pjesë në vizitën në Qarkun e Kukësit, zonë e cila vuan problemin e ndotjes me mina në Shqipëri. Kjo vizitë është një mundësi për të parë nga afër punën e bërë për ti ardhur në ndihmë të aksidentuarve nga minat në Spitalin Rajonal të Kukësit. Gjithashtu, pjësëmarrësit do të informohen nga autoritetet e qarkut dhe organizatat joqeveritare mbi aktivitetet e veprimit ndaj minave ne rajon.

Përfaqësues të nivelit të lartë si: Sekretari i Përgjithshëm i  Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, përfaqësues nga Presidenca e Bashkimit Europian dhe të Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave (ICBL) do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes të seminarit. Seminari fillon në datën 8 Tetor, 2009 në orën 09:00, në sallën Akernia, Hotel Tirana Internacional. 

Seminari koordinohet nga Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave (AMAE), me ndihmën e Njësisë Mbështetëse të Zbatimit të Konventës mbi Ndalimin e Minave kundër Personit. AMAE është autoriteti kombëtar i koordinimit dhe monitorimit të veprimit ndaj minave në Shqipëri.


Për më shumë detaje mbi Seminarin e Tiranës ju lutem kontaktoni: Juliana Buzi, Specialiste e Programit,
Tel: +355 69 20 66 991, E-mail: amaealbania(at)amae.org.al